Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin, në kuadër të universitetit “The New School” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tema e ngjarjes ishte “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.
Në fjalën e tij, Kurti e përshkroi pjesëmarrjen si një nder jo vetëm personal, por edhe për vendin e tij, duke vënë në pah se Kosova, shteti më i ri i Evropës, ka kaluar nga një dekadë shtypjeje dhe gjenocid në një periudhë rritjeje dhe zhvillimi. Ai theksoi se përvoja e Kosovës mund të ofrojë mësime të vlefshme për qeveritë e tjera në përballimin e krizave ekonomike dhe të kostos së jetesës.
“Krizat ekonomike nxjerrin në pah pabarazitë e mëdha dhe cenueshmërinë e qytetarëve. Qeveria jonë ka zbatuar një seri masash për të mbështetur popullin, pa rritur taksat apo borxhin publik,” tha Kurti, duke nënvizuar qasjen kreative të qeverisë së tij në menaxhimin e inflacionit dhe krizës energjetike.
Ai përmendi ndërhyrjet që kanë ndihmuar fermerët vendas dhe prodhuesit e vegjël, subvencionimin e çmimit të energjisë për familjet dhe bizneset, si dhe krijimin e programeve për investime të diasporës dhe mbështetje të kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme.
Kryeministri theksoi gjithashtu përdorimin e legjislacionit për kufizimin e fitimit të karburanteve, barnave dhe mallrave bazë, për të parandaluar rritjen e çmimeve në mënyrë abuzive. Ai nuk kurseu kritikat për vendimet e Gjykatës Kushtetuese që, sipas tij, kanë penguar disa masa për mbrojtjen e qytetarëve më të cenueshëm.
Kurti foli edhe për masat që ofruan lehtësim të drejtpërdrejtë për familjet: “Arsimi publik falas për të gjithë studentët Bachelor dhe Master, si dhe programe bursash për gratë në STEM; Zgjerim i mbulimit të ilaçeve për pacientët me sëmundje kronike si kanceri dhe diabeti; Ndryshimi i datës së pagesës së pensioneve dhe subvencionimi i energjisë për familjet që kursejnë; Program për punësimin e të rinjve dhe gratë që nuk kanë qenë aktive në tregun e punës; Rritja e pagës minimale dhe reforma e sistemit të pagave në sektorin publik për të ulur hendekun mes të pagave më të larta dhe më të ulëta; Skema universale e shtesave për fëmijë, e cila arrin në 1.5% të PBB-së”.
Ai vuri theksin te performanca ekonomike e Kosovës gjatë katër viteve të fundit: rritje mesatare ekonomike prej 6%, ulje e shkallës së papunësisë nga 25.8% në 10.9%, rritje e pagave mesatare në sektorin privat me 57%, si dhe një rritje të investimeve të huaja direkte.
“Politikat tona kanë ulur pabarazinë sociale, kanë rritur fuqinë blerëse të familjeve dhe kanë siguruar një rritje të qëndrueshme pa e ngarkuar borxhin publik, i cili sot është më i ulëti në Evropë, vetëm 17% të PBB-së,” tha Kurti.
Kryeministri në detyrë nënvizoi se përvoja e Kosovës tregon se një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbështet qytetarët mund të arrijë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke përmirësuar mirëqenien e të gjithë popullsisë, pa pasur nevojë për rritje të taksave.
Ai përfundoi fjalimin duke theksuar se mbështetja për qytetarët do të vazhdojë, duke planifikuar masa të reja për zgjerimin e ndihmës gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, dhe se përvoja e Kosovës mund të ofrojë modele të vlefshme për politika ekonomike dhe sociale në botë.