Një qytetar ka humbur jetën pas një aksidenti mes një automjeti dhe një autobusi në rrugën Suharekë–Shtime, mes fshatrave Duhle dhe Carralevë. Dy të tjerë janë lënduar dhe dërguar për trajtim në spitalin e Prizrenit, njofton zëdhënësi i policisë, Shaqir Bytyqi.
“Sot, më datë 28.09.2025, rreth orës 19:00, si pasojë e aksidentit, një pasagjer i automjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit. Nga të dhënat e para dyshohet se automjeti BMW ka humbur kontrollin dhe është përplasur me autobusin”, thuhet në njoftim.
Rruga Suharekë–Shtime, sipas policisë, është e bllokuar për qarkullim deri në përfundim të ekzaminimeve nga njësitë kompetente policore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në zhvillim, njofton Bytyqi.