Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë kwsja jave, vendi do të ndikohet nga kushte të ndryshueshme atmosferike.
Fillimi i javës do të karakterizohet me mot të qëndrueshëm, me intervale me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa nga dita e enjte parashikohet një përkeqësim i kushteve të motit me rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje shiu në shumë zona të vendit.
Sipas IHMK-së, sot temperaturat minimale gjatë kësaj jave do të lëvizin ndërmjet 5 dhe 9°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë nga 15 deri në 18°C. Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi jugperëndimor, me intensitet të lehtë deri mesatar.
Të martën, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen nga 5 deri në 7°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë vlerat mes 15 dhe 18°C. Do të fryjë erë e lehtë nga perëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 3 m/s.
Të mërkurën, vendi do të përfshihet nga mot kryesisht i vranët, me rënie të lehtë të temperaturave. Minimalet do të jenë ndërmjet 4 dhe 7°C, kurse maksimalet do të lëvizin nga 11 deri në 15°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare, nga drejtimi veriperëndimor.
Të enjten, ndryshimi i masave ajrore do të sjellë mot të vranët me kushte për reshje shiu, sidomos në pjesën e dytë të ditës. Temperaturat minimale do të bien në vlerat 1 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 7 deri në 12°C. Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 7 m/s.
Të premten, do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm. Parashikohet të jetë kryesisht i vranët, me reshje të dobëta dhe të izoluara, sidomos në rajonet perëndimore dhe jugore të Kosovës. Temperaturat minimale do të sillen nga 1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale pritet të jenë mes 5 dhe 9°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës apelon për kujdes të shtuar, sidomos në zonat ku pritet të ketë reshje.