Ish-i burgosuri politik, Mikhail Khodorkovsky, beson se Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndalet kurrë nën presionin e sanksioneve ekonomike, siç duket se beson Evropa, shkruan Politico.
“Ajo që nevojitet nuk është vetëm ndëshkimi, por edhe parandalimi. Sanksionet që nuk shoqërohen me gatishmërinë për të përdorur forcën ushtarake nuk do të kenë kurrë sukses”, thotë Khodorkovsky, duke shtuar se dronët rusë po i testojnë gjithnjë e më hapur kufijtë e NATO-s.
“Për Putinin, interesat kombëtare janë gjithmonë më të rëndësishme se opinioni publik dhe Moska mund të kompensojë lehtësisht humbjen prej 40 miliardë dollarësh në vit nga zhvlerësimi i rublës”, shpjegon ai, raporton Oslobođenje .
Khodorkovsky kujton faktin se vendet evropiane ishin të rezervuara që në fillim për një ndërprerje të plotë të bashkëpunimit me Moskën, ndërsa Uashingtoni priste që energjia e tyre të zëvendësohej nga nafta dhe gazi amerikan, me një çmim të lartë.
“Regjimi i Putinit është bazuar në mashtrim dhe paligjshmëri që nga fillimi. Anashkalimi i sanksioneve është vetëm një vështirësi dytësore për të”, thekson Khodorkovsky.
Ai arrin në përfundimin se e vetmja mënyrë për ta detyruar Rusinë të tërhiqet është forcimi masiv dhe i përhershëm i forcave të NATO-s.
“Asgjë tjetër nuk do të jetë mjaftueshëm vendimtare. Kjo është lufta e kohës sonë dhe një kërcënim ekzistencial që kërkon një përgjigje pa kompromis”, paralajmëroi Khodorovsky.