Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 11.08.2025 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” .
Sipas aktakuzës, me datë 10.08.2025, rreth orës 20:30 minuta , në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.
“Ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, i pandehuri E.B., ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë thikën me gjatësi tehu prej 10 centimetrave dhe dorezë 12 centimetra, me të cilën i ka shkaktuar vdekjen viktimës H.Sh.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Sa i përket veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve, rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qenë.