Drejtuesit e këtyre organizatave u bënë thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë protestë të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, pas protestave të mbajtura në Prishtinë e Holandë, kanë vendosur që protestën e radhës ta organizojnë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë”, ishin fjalët e para të Gucatit në këtë konferencë, i cili tutje u bëri thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë protestë të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre. Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, tha Gucati.

Ai i ka shprehur mirënjohje qeverisë së shtetit shqiptar, për, siç tha, kujdesin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj kësaj çështjeje madhore kombëtare.

“Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.

Ndërkaq kryetari i Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se në Gjykatën Speciale po bëhet përpjekje të njolloset lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së.

“Mendoj që populli e kombi shqiptar kudo që janë duhet të reagojnë, sepse lufta e lavdishme e UÇK-së ka përmasë kombëtare dhe jo vetëm kjo luftë, por çdo herë gjatë gjithë historisë, shqiptaret kurdo që janë organizuar për të mbrojtur, për të luftuar nuk e kanë bërë vetëm për liri e çlirim, por edhe për bashkim. Unë dua të citoj një fjalë të Edi Ramës kur tha se ‘Si do ta ndienin vetën ato shtete nëse presidenti i tyre merret nga ulësja e presidentit e dërgohet në Hagë e i shpallet një aktakuzë?’”.

“Pra, dua të them që këtu obligohen edhe institucionet kudo që janë në Prishtinë, Tiranë e Shkup, të reagojnë e të kërkojnë, jo të përzihen në punët e drejtësisë, por kur kohet parasysh se si është krijuar kjo gjykatë nga një rezolutë e Këshillit të Evropës, dhe duke i dhënë mundësi një raporti të shpifur të Dick Martyt gjoja se UÇK-ja ka bërë trafikim organesh. Mendoj se në radhë të parë institucionet tona kudo që janë, duhet të kërkojnë dhe është dashur të kërkojnë, sepse nuk është faktuar asnjë dhe nuk është argumentuar asgjë mbi këtë shpifje mbi të cilën është krijuar kjo gjykatë, në momentin që nuk është vërtetuar,  nuk është faktuar kjo gjykatë është dashur të jenë ineksiztente”, tha Jashari.

Ai e ka quajtur tronditës kualifikimin e UÇK-së nga Dhomat e Specializuara si ‘organizatë të përbashkët kriminale”.

“Unë mendoj që janë qëllime të thella kur argumentohet e faktohet se kjo prokurori ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë e Serbisë e qëllimi i saj është kriminalizimi i UÇK-së”, tha Jashari.