Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit.
Në Graçanicë, një grua ka raportuar se një i dyshuar nën ndikimin e alkoolit, kishte tentuar ta sulmonte atë. I dyshuari është intervistuar dhe aktualisht ndodhet në spital nën mbikëqyrje të policisë.
Policia ka njoftuar se në Obiliq është raportuar një tjetër rast dhune në familje midis një gruaje dhe një burri. Të dy palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar. Rasti është proceduar më tej me urdhër të prokurorit dhe po trajtohet në gjendje të lirë.
Edhe në Gllogoc një grua ka raportuar se është sulmuar nga grua tjetër. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje, thekson policia.
Një rast tjetër është raportuar në Gjakovë, ku një person është arrestuar pasi që kishte sulmuar një grua pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Vushtrri një person është arrestuar pasi kishte kanosur një femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje. Viktimës i është lëshuar urdhër për mbrojtje dhe është larguar nga shtëpia.
Policia po vazhdon hetimet për të gjitha rastet në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.