Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2025, të cilët kanë aktakuza aktive, apo që janë dënuar më herët me vendime të formës së prerë për vepra të ndryshme penale.
IKD thekson se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptim që personat të cilët kanë probleme me ligjin, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.
“Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për moskandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë”, thuhet në komunikatë.
Sipas të dhënave të monitorimit të IKD-së, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.
“Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë”, theksohet në komunikatë.
Tre prej kandidatëve që kanë probleme me ligjin, IKD gjen se janë nga PDK dhe një nga LVV
“Tek kandidatët për kryetarë të komunave që IKD ka gjetur se kanë probleme me ligjin, përfshihen katër (4) kandidatë nga dy parti politike, tre (3) prej tyre nga PDK dhe një (1) nga LVV. Përderisa, tre (3) kandidatë janë nga tri iniciativa qytetare, Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska NarodnaSloga dhe Iniciativa Demokracia. Kurse, një (1) është kandidat i pavarur”, thuhet më komunikate.
Sipas IKD-së, kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.
Krahasimisht me zgjedhjet lokale të vitit 2021, IKD gjen se ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.
“Progres po ashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike”, thekson IKD.
IKD në raport evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë.