Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar Rregulloren e Zyrës së Kryeministrit (ZKM) për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), e cila ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 18 prill 2025.
Padinë kundër Zyrës së Kryeministrit dhe AKPPM-së e kishin ngritur disa punonjës të agjencisë, të përfaqësuar nga avokati Ardian Bajraktari.
Sipas tyre, rregullorja ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe kishte cenuar funksionimin e agjencisë si organ i pavarur ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjykata ka konstatuar se procesi i hartimit dhe finalizimit të rregullores është shoqëruar me shkelje procedurale dhe ligjore, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në vendimin e saj, theksohet se AKPPM-ja është agjenci ekzekutive e themeluar me ligj dhe jo departament i Ministrisë, prandaj ndërhyrja në funksionimin e saj ka cenuar pavarësinë dhe mënyrën e funksionimit të agjencisë.
Por, Gjykata ka refuzuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditësve, ku kërkohej që AKPPM-ja të obligohej të nxjerrë një akt nënligjor të ri, si dhe ka hedhur poshtë kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit.
Po ashtu, është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Rregullores, deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë.