Java e Kulturës Gjermane nis nesër. Organizatorët ftuan miqtë e kulturës gjermane në hapjen e këtij programi të pasur me aktivitete, që do të zhvillohet në sheshin rekreativ të Pazarit të Ri.
Java e Kulturës Gjermane nis me festën e madhe në rrugë “Straßenfest”, plot ngjyra dhe shije. Në Straßenfest do të ketë stenda informuese të organizatave gjermane, kulinari e veçantë si dhe atmosferë festive me muzikë tradicionale bavareze nga orkestra frymore “Die 4 Hinterberger Musikanten”.
Mbrëmja do të vijojë me ritmet e fuqishme të HÖR on Tour. Për dy ditë me radhë, do performojnë në një studio minimaliste, të hapur, DJ të përzgjedhur në bashkëpunim me HÖR. Artistët performojnë sete drejtpërdrejt që transmetohen në mbarë botën në kanalet zyrtare të HÖR.
HÖR, me qindra-mijëra ndjekës dhe miliona shikues në mbarë botën, njihet për formatin e tij unik që u jep artistëve të rinj dhe të afirmuar një platformë të barabartë.
Java e Kulturës Gjermane do të vazhdojë me prezantimin e një libri arti bashkëkohor, eventet unike pranë liqenit artificial të Tiranës me WOW Albania, si edhe shfaqjen e një filmi të suksesshëm gjerman.