Gjykata e Lartë ka lënë në burg Erion Veliaj, duke rrëzuar rekursin e tij për një masë më të butë sigurie.
Vendimi u dha këtë të enjte (2 shtator), teksa po ditën e sotme, mbrojtja e Veliajt paraqiti një shtesë te kërkesa për masën së sigurisë. Argumentet mbështeten në vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Sipas mbrojtjes, duke qenë tashmë në cilësinë e ish-kryetarit, Veliaj nuk mund të ndikojë mbi prova dhe nuk përbën pengesë për Prokurorinë e Posaçme apo Gjykatën në marrjen e dokumentacionit të nevojshëm.
Po ashtu, ata argumentojnë se nuk ekziston rrezik për kryerjen e veprave të ngjashme penale, duke qenë se ai nuk mban më funksion publik.
“Mbrojtja vlerëson se në shqyrtimin e rekursit të kërkuesit z. Erion Veliaj në lëndë mase sigurimi, Kolegji Penal duhet të ketë në konsideratë faktin se realisht nuk ka asnjë shkak të rëndësishëm që vë në rrezik marrjen ose vërtetimin e provës, nuk mund ketë asnjë veprim a sjellje që “rrezikon” procesin e marrjes dhe vërtetësisë së provës, nuk ka ndonjë provë konkrete, marrja e së cilës rrezikohet nga qënia e z. Erion Veliaj nën efektet e një mase tjetër sigurimi. Kemi përmendur faktin e provuar tashmë se z. Erion Veliaj nuk rezulton të ketë pasur asnjë kontakt me dëshmitarët e pyetur përgjatë hetimeve apo të ketë ndikuar tek ta. Po kështu, ai tashmë ka cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë Tiranë, nuk mund të ndikojë mbi asnjë lloj prove, nuk mund të sjellë asnjë pengesë për Prokurorinë e Posaçme apo Gjykatën për marrjen e çdo informacioni apo dokumentacioni shkresor të nevojshëm si dhe nuk ka rrezik që, për shkak të funksionit që mbante, të kryente krime të ngjashme me ato për të cilat është proceduar penalisht”, thuhet në dokument.
Sa i përket rrezikut të largimit nga vendi, mbrojtja e konsideron këtë të pamundur, duke përmendur faktin se bashkëshortja, djali dhe nëna e Veliajt jetojnë në Tiranë. Sipas tyre, rrethanat familjare janë një arsye e fortë që ai të mos largohet.
“Që nga ndalimi i tij, mirëqenia e djalit të vetëm të Kryebashkiakut Veliaj është përkeqësuar ndjeshëm. Ndarja e zgjatur ka ndikuar negativisht në zhvillimin dhe shëndetin mendor të të birit. Vetëm kjo rrethanë paraqet një arsye të qartë dhe bindëse pse z. Veliaj nuk paraqet rrezik largimi,” thuhet në rekurs.
Gjykatat, sipas mbrojtjes, nuk kanë marrë në konsideratë faktin që bashkëshortes së Veliajt i është caktuar masë sigurie që e ndalon të largohet nga Shqipëria, ndërsa pasuritë e familjes janë nën sekuestro pasurore.
“Gjykatat nuk kanë trajtuar faktin që familja e tij jeton në Shqipëri, ka një djalë të mitur në ngarkim, bashkëshortes së tij i është caktuar masa e sigurimit që e ndalon atë të largohet nga Shqipëria, duke iu bllokuar pasaporta, ndaj ai nuk ka asnjë rrezik potencial largimi, shtuar këtu faktin se ndaj pasurive të tyre apo të pretenduara si të zotëruara prej tyre aktualisht është vendosur masa e sekuestros pasurore“, shkruhet në dokument.
Ndërkohë, Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, duke e konsideruar atë jo kushtetues. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 9 nëntorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën.