Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, B.M dhe Q.M, për veprat penale: fajde, shpëlarje të parave, falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe kanosje.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.M dhe Q.M, gjatë vitit 2020 në kundërshtim me ligjin, kanë kontraktuar një shumë të konsiderueshme dhe joproporcionale të pasurisë në këmbim të një shërbimi ndaj të dëmtuarit, duke i dhënë atij para me fajde disa herë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Tutje, theksohet se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit ia kanë tjetërsuar të dëmtuarit pronën në Prishtinë, pasi nuk ka qenë në gjendje t’i kthejë mjetet financiare.”
Në deklaratën e Prokurorisë bëhet e ditur se “B.M dhe Q.M, akuzohen se në bashkëkryerje, duke e ditur se pasuria rrjedh nga aktiviteti kriminal, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dhe të fshehjes së vlerës reale, në mënyrë të kundërligjshme e konvertojnë, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 6,300,000.00 € (gjashtë milionë e treqind mijë euro).”
Prokuroria Speciale ka propozuar Gjykatës “që të anulojë në tërësi të gjitha veprimet juridike të kundërligjshme.”