Tre vajza adoleshente nga Londra u dënuan me një total prej dhjetë vjetësh burg pasi pranuan fajësinë për vrasjen e një burri 75-vjeçar.
Vrasja ndodhi në shkurt në Londër , kur vajzat ishin 14, 16 dhe 17 vjeç, dhe vendimi është dhënë tani, kështu që ato janë vendosur në një qendër korrektuese.
Vrasja ndodhi kur Freddy Rivero (75) po kthehej nga një takim me miqtë, në një stacion autobusi në Seven Sisters Street në Londër. Vajzat e rrethuan viktimën, filluan t’i bërtisnin dhe në videon e publikuar nga policia e Londrës, shihet se Rivero u përpoq të shmangte përballjen.
Megjithatë, vajzat adoleshente vazhduan ta godisnin dhe të regjistronin gjithçka me telefonat e tyre celularë. Në një moment, Rivero ra në tokë pas goditjes, duke goditur kokën në trotuar, ku më vonë u gjet i gjakosur dhe pa ndjenja nga kalimtarët. Ai u transportua në spital, ku vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Siç raportohet nga Policia Metropolitane e Londrës , njëra nga vajzat 17-vjeçare u dënua me katër vjet burg, tjetra me tre vjet e gjashtë muaj, ndërsa më e vogla mori dy vjet e gjashtë muaj burg dhe u vendos në qendrën korrektuese Old Bailey.
Vajzat janë tashmë të njohura për policinë: një nga 17-vjeçaret ishte dënuar më parë për ngacmim racor dhe sulm ndaj një zyrtari, ndërsa adoleshentja më e re u dënua për përpjekje për të shkaktuar dëmtime të rënda trupore ndaj një gruaje të pastrehë në fund të vitit 2024.
Devan Taylor, inspektori i policisë që drejton hetimin, tha se ishte një sulm i paprovokuar.
“Fakti që autorët e filmuan sulmin dhe menduan se ishte argëtues e bën gjithçka edhe më të neveritshme. Falënderoj qytetarët që ndihmuan në hetim dhe i dhanë ndihmën e parë Fredit. Dëshmitë e tyre ishin vendimtare për arrestimin e shpejtë të vajzave”, tha ai.