Rreth 30 veteranë të luftës së Kroacisë dhe Kosovës kanë nderuar sot dëshmorët e Dukagjinit. Në kompleksin memorial të Gllogjanit, ata kujtuan të rënët e luftës së fundit.
Me përulje të thellë po i nderojnë bashkëluftëtarët dëshmorë, luftëtarë në luftërat çlirimtare në Kroaci dhe Kosovë.
Janë këta rreth 30 veteranë të luftës së Kroacisë dhe UÇK-së që sot e kanë nisur ditën në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Gllogjan duke vendosur kurora lulesh pranë përmendoreve të tyre
“Ne vijmë nga një herë në vit me i vizitu varrezat e dëshmorëve shqiptarë që kanë dhënë jetën në Kroaci por që rivarrimin e tyre ekemi bërë në Kosovë. Për të konstatuar mu këtë që u përmend luftën e përbashkët kundër armikut të përbashkët, edhe me e pa e me ju tregue edhe shokëve kroat që jan me ne se cfarë mundi e sakrifice kanë dhanë shqiptarët për çlirimin e vet”, tha Tomë Kaçinari, kryetar i Shoqatës së Veteranëve vullnetarë të luftës në Kroaci dhe Kosovë.
“ Ne kemi obligim që mos ti harrojmë asnjëherë sepse ata ranë për çlirimin e vendit. Nuk ka meritë apo vlerësim më të lartë se sa kur njeriu flijohet dhe jep jetën për atdheun e vet”, theksoi Esat Çollaku, Kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Luftës në Kroaci.
Gjatë luftës në Kroaci ishin të angazhuar mbi 2800 luftëtarë shqiptarë nga Kosova në mesin e të cilëve edhe heronjtë, Fehmi e Xhevë Laldrovci dhe Bekim Berisha. Po ashtu 87 prej tyre ranë dëshmorë për mbrojtjen dhe lirinë e Kroacisë.