Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë kryeqytetin në ditët e para të tetorit kanë përshpejtuar përgatitjet për nisjen e sezonit të ngrohjes.
Ndërmarrja Publike “Termokos” thotë se qysh nga e premtja ka nisë furnizimi i QKUK-së.
“Ne kemi intervenuar urgjentisht te ngrohtorja e spitalit, kemi mobilizuar ekipet tona dhe për nevojat e Qendrës Klinike Universitare ka filluar menjëherë furnizimi me ngrohje për klinika nëpërmes ngrohtores që është enkas për klinikat e QKUK-ës e cila prodhimin e energjisë ngrohëse e bënë duke shfrytëzuar naftën si lëndë të parë djegëse”, ka thënë Aferdita Uka – Fejzullahu, zëdhënëse e Termokosit.
Varësisht nga i ftohti, ngrohja thotë se pritet të nisë ditëve të ardhshme edhe për konsumatorët e tjerë të Prishtinës.
“Ndërkohë po përshpejtohen përgatitjet për të filluar furnizimin me ngrohje edhe për të gjithë konsumatorët. 25 mijë konsumatorë sa janë të kyçur janë konsumatorë aktiv në rrjetin e ngrohjes. Ne do të jemi të gatshëm për të filluar furnizimin me ngrohje disa ditë para sezonit të zakonshëm me të cilin duhet të fillojmë me 15 tetor, bazuar në ligjin e ngrohjes dhe në rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji”, ka thënë Uka-Fejzullahu.
Ajo shton se po punohet në zgjerimin e rrjetit në disa lagje të reja, ndërsa po vazhdojnë punimet në dy projekte kapitale për rritjen e kapaciteteve që mundëson furnizimin me ngrohje qendrore të më shumë familjeve në kryeqytet.