Gjatë kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar në Vermicë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një tentativë për shmangie të obligimeve doganore, ku është kapur një sasi e konsiderueshme pluhuri kolagjeni e padeklaruar.
Pas deklarimit të palës se nuk kishte mallra për të raportuar, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 153 pako me pluhur kolagjeni (secila me peshë 200 gram), të fshehura në bagazhin e automjetit. Për këto mallra nuk ishte paraqitur asnjë faturë apo dokumentacion përcjellës.
“Malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj personit është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe shmangies së obligimeve doganore, me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë së vendit dhe sigurimit që çdo mall që hyn në Kosovë të jetë i deklaruar dhe i kontrolluar në përputhje me ligjin.