Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dënoi sërish sot vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit, dhe theksoi se ekzekutimi publik i tij dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri.

 

Në konferencën e sotme për mediet, Berisha tha se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.

Sipas Berishës, ekzekutimi i gjykatësit Kalaja dëshmon dështimin e plotë të reformës në drejtësi, duke shtuar se reforma de facto privoi qytetarët shqiptarë nga një proces i drejtë ligjor, si asnjëherë në tërë historinë e tyre, si asnjëherë në historinë e Evropës së Pasluftës.

“Me vetting-un gjueti shtrigash, të bazuar në korrupsionin gjysmë dhe 1 milion euro pagesa në Shqipëri, sot për shkak të vakuumit që solli ky proces është krijuar një stok prej 230 mijë dosjesh”, tha Berisha.

Berisha shtoi se qytetarët shqiptarë të cilët para reformës në drejtësi “duhet të prisnin dy gjer në 4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme, duhet të presin 4 deri në 6 herë më shumë apo mbi 15 vite”.

“Stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon sipas ekspertëve rreth 20 vite”, u shpreh kreu i PD-së.

Rasti i djeshëm, sipas Berishës “është rasti më dramatik i vetëgjyqësisë, por e vërteta është se rastet e vetëgjyqësisë për shkak të këtij sistemi të falimentuar, po shtohen çdo ditë”.

“Sot, dosjet e prokurorëve dhe gjykatësve janë objekt falsifikimesh, manipulimesh, zhdukjesh dokumentesh, krimi flagrant pra, absolutisht njëlloj si në kohën kur ato administroheshin nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit apo gjykatat popullore të diktaturës”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh ndër të tjera se qeveria po e shfrytëzon vrasjen e një gjykatësi për të kaluar Kodin Penal.

I pyetur në lidhje me sulmet e tij ndaj drejtësisë, Berisha tha “unë luftoj për ligjin, nuk kam sulmuar asnjë gjykatës apo prokuror pa fakte dhe prova”.