Në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë po zhvillohen homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit.

 

Ceremonia përkujtimore nisi në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në 11:00, përpara se trupi i pajetë i gjyqtarit të përcillet për në Shkodër, qytetin e tij të lindjes, ku do të prehet përgjithmonë.

Në mesin e të parëve që kryen homazhet ishte Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili la edhe një shënim në librin e ngushëllimeve. Më pas, nderimet e fundit i bëri edhe Kryeministri Edi Rama.

Homazhe zhvilloi gjithashtu Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili në një deklaratë të shkurtër për mediat u shpreh:

Në ceremoni morën pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, si dhe deputeti i PD-së Ajran Ndoj, përkrah shumë personaliteteve të sistemit të drejtësisë, përfaqësuesve institucionalë, kolegëve, miqve dhe familjarëve të gjyqtarit, transmeton RTSH.

Ngjarja tronditëse ndodhi dy ditë më parë, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi në sallën e gjykatës, pas shpalljes së një vendimi gjyqësor për një çështje pronësie në Shkodër. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, pjesë e palëve në proces.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja është dënuar ashpër nga të gjitha institucionet e drejtësisë dhe nga krerët e shtetit, të cilët e kanë cilësuar aktin si një “sulm brutal ndaj drejtësisë” dhe një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës.