Seanca fillestare ndaj Faruk Mujkës, kryeshef i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, dhe Hysen Muzliukajt, drejtor i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Arsyeja e mungesës së avokatëve u raportua si probleme shëndetësore familjare dhe angazhim në një seancë tjetër gjyqësore. Gjyqtarja Violeta Namani Hajra caktoi seancën e radhës më 20 tetor.
Sipas Prokurorisë, Mujka dhe Muzliukaj dyshohen se gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në Komunën e Mitrovicës së Jugut kanë shkaktuar dëm prej 125,100 eurosh ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ata akuzohen se, në prill të vitit 2021, duke qenë në dijeni se një pronë ishte shpallur me interes të posaçëm publik, e kanë paraqitur atë si pronë komunale për qëllime të këmbimit, duke tejkaluar kompetencat zyrtare dhe duke synuar përfitime të kundërligjshme për palë të treta.
Përveç akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Faruk Mujka përballet edhe me akuzën për “mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë”.
Nga ana tjetër, avokati i Muzliukajt, Ahmet Tahiri, e ka cilësuar aktakuzën si “turp për drejtësinë në Kosovë”, duke theksuar se vendimi i kontestuar ka kaluar në pesë filtra institucionalë dhe se gjykatat, përfshirë edhe Supreme, kanë konstatuar mungesë të dyshimit të bazuar për vepër penale.
Ai shprehu bindjen se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm.
Faruk Mujka është emëruar në krye të “Ibër Lepencit” në dhjetor 2022, ndërsa Hysen Muzliukaj mori drejtimin e IKAP-it në gusht 2025.