Kryeministri Kurti theksoi se qeveria po punon për të rritur kërkesën agregate dhe për të mbështetur eksportet e Kosovës, si dhe gjenerimin e energjisë elektrike.

“Investimet në rritjen e kapacitetit dhe modernizimin e energjisë sigurojnë jo vetëm efikasitet, por edhe qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.5% të Bruto Produktit Vendor. Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6%, pa rënë asnjëherë nën 4%. Këtë vit është 4.58%, pra vazhdojmë të qëndrojmë stabilë dhe nuk ka vend për brengosje”, tha Kurti.

Ministrja Rizvanolli shtoi se përkrahja për sektorin privat është rritur ndjeshëm gjatë këtij mandati. “Vetëm Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka rritur mbështetjen për bizneset prodhuese nga 500 mijë euro në vit, në 5 milion euro, një dhjetëfishim të përkrahjes. Paralelisht, janë aktivizuar edhe skema të tjera për mbështetje investimesh në efiçencë për ndërmarrjet prodhuese dhe përpunuese. Ftoj të gjitha kompanitë e interesuara të marrin pjesë në sesionin informativ për këtë skemë,” tha Rizvanolli.

Ky diskutim përkon me raportet ndërkombëtare që theksojnë performancën e Kosovës në Ballkanin Perëndimor dhe forcon besimin në stabilitetin ekonomik të vendit.