Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.P. dhe B.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308, paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas zhvillimit të procedurës hetimore, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj disa personave të tjerë të përfshirë në këtë rast për veprat penale “Shmangia nga tatimi”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi në detyrë” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë periudhës janar–mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësinë e pronarit të biznesit “B.K., AG”, me dashje ka përdorur dokumente të rrejshme, konkretisht 23 fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej 18 milionë euro, të lëshuara nga biznesi “B.BB” sh.p.k., me person përgjegjës të pandehurin B.B..
Në këto fatura figuron se kinse janë kryer punime për ndërtimin e hotelit “Lakeside” në Vërmicë, Prizren, me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se i ka shkaktuar dëm material ATK-së në shumën prej 3,449,016.61 euro.
Ndërkohë, i pandehuri B.B., në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit “B.BB” sh.p.k., gjatë të njëjtës periudhë, me dashje ka lëshuar 23 fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej 18 milionë euro, për punime që në realitet nuk janë kryer.
Me këtë veprim, ai ka mundësuar që biznesi i të pandehurit F.P. t’i shmanget pagesës së tatimit në shumën prej 3,449,016.61 euro, ndërsa vetë i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro.
Me këto veprime, të pandehurit F.P. dhe B.B. dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”, në kundërshtim me nenin 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.