Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe ka bërë thirrje që votimi të bëhet lirshëm dhe me përgjegjësi, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre në mënyrë të informuar.

Kryetari i KQZ-së ka nënvizuar gjithashtu përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve, të cilët do të angazhohen gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore.

Për të garantuar një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të jenë të pranishme në të gjitha komunat e vendit për të mbrojtur integritetin dhe besueshmërinë e votës.