Gjatë tubimit përmbyllës në Gjakovë, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Gjakova, nën udhëheqjen e Ardian Gjinit, ka përjetuar transformime të mëdha, të cilat sipas tij, do të vazhdojnë edhe në katër vitet e ardhshme.
“Nuk jam habitur me sukseset e tij — çdo projekt që ka filluar, e kam ditur se do të ndodhë. Ai sot, siç po e shihni, po e përfundon stadiumin për të gjithë sportistët që do ta gëzojnë. Ne, kur vijmë në Gjakovë, shohim një Gjakovë me perspektivë dhe të arritur, e cila po shtohet në cilësi e në investime,” tha ai.
Kandidati i AAK-së i cili garon edhe për një mandat të ri në krye të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh se mandati i kaluar është karakterizuar nga projekte konkrete që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve duke premtuar edhe me shumë zhvillim dhe investime.
“Çfarë na pret në katër vitet: koncepti i lumenjve dhe liqenit që është duke u implementuar, trajtimi i ujërave të zeza me fshatrat e Gjakovës, ku disa prej tyre tashmë kanë përfunduar. Rregullimi i transportit publik dhe përfundimi i rrugëve që kanë mbetur. Arsyeja pse ju besoni është sepse kemi mbjellë shpresë te qytetarët, sepse Gjakovën e kemi dashur çdo ditë, jo vetëm për zgjedhje,” shtoi ai.
AAK prezantoi edhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Gjakovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një ekip të përgatitur me përfaqësim të gjerë nga gjitha Gjakova.