Kurti e cilësoi ditën e sotme si një ditë të rëndësishme për të ardhmen e komunave në Kosovë.

“Sot është një ditë e rëndësishme – votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona. Votojmë për çerdhe, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturën në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë”, deklaroi Kurti pas votimit.

Ai theksoi se, përveç që janë qytetarë të Republikës së Kosovës, njerëzit janë edhe banorë të komunave ku jetojnë dhe veprojnë. Prandaj, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin këtë mundësi – të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe të angazhohen për përmbushjen e nevojave të tyre”, shtoi ai.