Sipas njoftimit të PDK-së, ajo është para Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 168 mijë vota dhe para Lëvizjes Vetëvendosje (VV) me 156 mijë vota.

PDK ka fituar në raundin e parë në tri komuna: Ferizaj, Skënderaj dhe Han i Elezit.

“Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër është e para. Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Mitrovica, Vushtrria dhe Kaçaniku. Ndërsa në Klinë dhe Dragash, PDK shkon si e dyta në balotazh,” thekson PDK.

Ndërkaq, PDK ka arritur të shndërrohet si forcë kryesore politike edhe në kryeqytet.

“Sipas votave të marra për Kuvendin Komunal të Prishtinës, PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë, duke u renditur si parti e dytë me mbi 21 mijë vota, pa u numëruar ende të gjitha kutitë. Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar, Uran Ismaili, është renditur i treti me 28,588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021,” thuhet në njoftim.

Në tërësi, në garën për kryetarë në nivel vendi, PDK ka dalë e dyta me 200 mijë vota.

Në të gjithë Kosovën, janë të panumëruara edhe 84 vendvotime të tjera, dhe ky rezultat mund të rritet edhe më shumë.