Në kuadër të javës së aktiviteteve të Rrjetit Evropian të Policive Rrugore “ROADPOL 2025”, e cila u zhvillua nga data 6 deri më 12 tetor 2025, Policia e Shtetit ka intensifikuar prezencën dhe kontrollet në të gjitha rrugët e vendit, duke kontrolluar mbi 10 mijë automjete.

 

Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte rritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimi i aksidenteve, me theks të veçantë tek ndërgjegjësimi i drejtuesve të automjeteve për rëndësinë e përqendrimit gjatë ngasjes.

Fushata është zhvilluar nën moton “Përqendrohu në rrugë”, duke vënë në fokus mospërdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit, respektimin e kufizimeve të shpejtësisë dhe përdorimin e rripit të sigurisë.

Rezultatet e aktiviteteve të realizuara nga njësitë e trafikut rrugor janë si më poshtë:

“Janë ngritur 1,702 pika kontrolli për automjetet; Janë kontrolluar 10,416 automjete në të gjithë vendin; Janë shqiptuar 385 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes; Janë shqiptuar 4,908 gjoba për tejkalim të shpejtësisë; Janë shqiptuar 312 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjetit, me qëllim që çdo udhëtim të përfundojë i sigurt.