Gjithsej pesë raste të dhunës në familje janë raportuar nga Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit. Të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprime ligjore, në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse.

 

Në Prishtinë janë raportuar dy raste, ku në njërin prej tyre është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Po ashtu, në të njëjtën ditë është arrestuar edhe një person tjetër për dhunë ndaj një gruaje Në të dy rastet, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Kamenicë, është arrestuar një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj disa anëtarëve të familjes. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.

Edhe në Pejë, është arrestuar një burrë për dhunë në familje ndaj një femre kosovare. Pas intervistimit, i njëjti është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkohë, në Vushtrri, është raportuar një rast i dhunës në familje ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka urdhëruar fillimin e hetimeve.