Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se operacioni i udhëhequr nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, që është zhvilluar me bastisje në Komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, ka qenë në kuadër të hetimeve për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, A.S.
Prokuroria po ashtu njofton se operacioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa është mbështetur nga njësitë relevante të Policisë. Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë bastisur dy lokacione në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: rrezikimi i personelit të Kombeve të Bashkuara, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.
Gjatë operacionit janë shoqëruar në Polici shtatë persona, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Nga bastisjet janë sekuestruar prova materiale, përfshirë dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të personave që cenojnë sigurinë dhe rendin në vend.