Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për korrupsion.
Deklarimet lidhur me fajësinë e bënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale, Iliriana Çollaku-Tafa.
Pas deklarimeve, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, informoi të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës, Xhafer dhe Ahmet Tahiri, se brenda një afati prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave, rasporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës në kohën e ngjarjes, dhe Muzliukaj, si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me një rast të këmbimit të pronës së ish-“Bankosit” me një pronë private.
Përveç kësaj, Faruk Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, pasi në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, nuk kishte deklaruar shumën prej 60,050 eurosh që i ishte sekuestruar në banesë, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.
Seanca paraprake e paraparë për 8 tetor 2025 kishte dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzën më 9 shtator 2025 ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Mujka përballet gjithashtu edhe me akuzën për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.