Policia ka  bërë të ditur përmes një njoftimi  se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, kur zyrtarët e Pylltarisë kanë hasur në një automjet me tre persona V.H. (1993), F.S. (1997) dhe V.S. (1990).

Pas një mosmarrëveshjeje verbale, zyrtarët kanë njoftuar Policinë dhe të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Zubin Potok.

“Gjatë kontrollit, të dyshuarit kanë dorëzuar vullnetarisht, 3 pushkë gjuetie, 1 pistoletë, 25 fishekë dhe 1 radio dore”,  thuhet në njoftim

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Gjueti e kundërligjshme”.

Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të respektojnë ligjet, sidomos ndalimin e gjuetisë në zonat e mbrojtura dhe mbajtjen e armëve pa leje, pasi këto veprime paraqesin rrezik për sigurinë publike.