Në fshatin Zabërgjë të komunës së Klinës, sot është përuruar shtatorja e dëshmorit të kombit, Rizah Salihaj, një ndër luftëtarët e parë të rreshtuar në Brigadën 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Mujë Krasniqi”.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se Rizah Salihaj ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes për liri, duke u bashkuar me Brigadën 113 të UÇK-së “Mujë Krasniqi”.
“Sot, bashkë me kryetarin Zenun Elezaj, bashkëluftëtarë dhe familjarë, morëm pjesë në përurimin e shtatores së heroit Rizah Salihaj, në vendlindjen e tij, në Zabërgjë të Klinës. Ai ishte ndër ushtarët më të devotshëm, i vendosur e trim, i palëkundur në çdo betejë. Heroizmi dhe vepra e tij do të mbeten përherë shembull se si liria e atdheut vendoset mbi gjithçka tjetër. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj.