Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Seanca e Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot, më 21 tetor 2025, në orën 10:00 sipas kohës lokale në Nju Jork (16:00 sipas kohës në Kosovë), dhe do të shqyrtojë raportin periodik të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për zhvillimet në Kosovë, njofton zyra për informim e MPJD-së.
Gjatë fjalës së saj para Këshillit, ministrja Gërvalla do të paraqesë të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar progresin e bërë në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin institucional. Ajo pritet të theksojë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse dhe për forcimin e rolit ndërkombëtar të vendit.