Në komunikatën e BQK-së bëhet me dije se guvernatori Ismaili e njoftoi gjeneralin Vitagliano lidhur me mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e BQK-së, me theks në aktivitetet e ndërmarra nga BQK në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), luftën kundër parave të falsifikuara, si projektin e ri në luftën kundër falsifikimit të parave.

Gjithashtu thuhet se duke e informuar për zhvillimet në fushën e pagesave si në aspekt të integrimit drejt SEPA si dhe për infrastrukturën e re të pagesave të shpejta, guvernatori Ismaili u ndal tek lufta kundër falsifikimit të valutës euro, ku theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me institucionet relevante të Republikës së Kosovës. Ai informoi lidhur me progresin në hartimin e legjislacionit për themelimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit të Parasë, me mbështetje nga Banka Qendrore e Kroacisë dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, në kuadër të programit TAIEX së Bashkimit Evropian.

“Gjatë takimit në BQK u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e luftës kundër falsifikimit të valutës, në kuptim edhe të projektit të bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian që synon forcimin e bashkëpunimit me autoritetet kosovare dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale për parandalimin dhe identifikimin e falsifikimeve. Me tutje, në këtë drejtim, aspekte të rëndësishme mbeten të adresohen edhe tek fusha e kripto-aseteve dhe instrumenteve tjera digjitale, që bazohen në teknologjitë më të reja të zhvilluara në nivel global”, thuhet tutje në njoftimin e BQK-së.

Po ashtu në takim u theksua se korniza ligjore e tillë kundër falsifikimit të valutave, do të krijojë kuadrin e duhur për krijimin e kësaj qendre brenda BQK-së, si dhe do të përcaktojë autoritetet kompetente dhe përgjegjësitë e tyre të ndara në luftën kundër këtij fenomeni, si përgjigje sistematike dhe e qëndrueshme, që përveç kontributit kombëtar, ndihmon edhe proceset integruese evropiane.

“Drejtuesit e BQK-së e njoftuan delegacion e Karabinierëve Italian lidhur me disa hapa tjerë të rëndësishëm të ndërmarrë nga BQK në këtë drejtim, duke përfshirë nënshkrimin në gusht 2025 të Marrëveshjes me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) në fushën e luftës kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro. Kjo Marrëveshje forcon përkushtimin institucional të BQK-së për ruajtjen e integritetit të parasë së gatshme euro në qarkullim dhe për sigurimin e stabilitetit financiar të vendit. Përmes kësaj marrëveshjeje me BQE, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro, si dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe me institucione partnere jashtë Eurozonës, përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”,  ka bërë me dije BQK-ja.