Policia e Kosovës njofton se një zyrtar publik është arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi dyshohet se ka favorizuar operatorë ekonomikë në tenderë publikë me vlerë mbi 8.8 milionë euro.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” në procedurat e tenderëve publikë.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe informata që mundësojnë dyshimin se një zyrtar publik ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, “duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme”. Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.
“Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale të
Republikës së Kosovës, duke përfshirë sigurimin e dëshmive dhe masa të tjera hetimore,
përfshirë sekuestrimin e pajisjeve komunikuese” , theksohet në komunikatë.
“Personi i dyshuar është intervistuar dhe, me urdhër të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt,” thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
Rasti vazhdon të hetohet dhe Policia e Kosovës, thekson se në bashkëpunim me organet e drejtësisë, do të ndërmarrë veprime tjera.




