Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol nxitës në konfliktet në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Sipas raportit të ri të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, kjo kishë vazhdon të shërbejë si instrument në duart e regjimit të Aleksandar Vuçiqit dhe politikës ruse, përmes projektit “Bota Serbe”. Raporti thekson se Kosova mbetet fronti kryesor i përpjekjeve destabilizuese, përmes strukturave ilegale në veri dhe mbështetjes së figurave kriminale, si Milan Radoiçiq.
Historikisht, Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol nxitës në të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi. Bekimin për krimet e kryera gjatë luftërave, kryekriminelët serbë e merrnin nga Kisha Ortodokse.
Të tillë ishin edhe Ratko Mlladiq e Radovan Karagjiq. Ata bekoheshin nga priftërinjtë ortodoksë serbë për veprat kriminale në Bosnjë.
Me këtë bekim të Kishës serbe, ata vranë e masakruan qindra myslimanë boshnjakë gjatë viteve të ’90-ta.
Të njëjtin rol, Kisha Ortodokse Serbe e ka luajtur pothuajse vazhdimisht, duke përkrahur edhe kriminelin Millosheviq në luftën e fundit në Kosovë dhe çdo serb që shkonte në luftërat që Serbia i ka bërë në Slloveni, Kroaci e Bosnjë.
Kjo mënyrë po vazhdon të përdoret edhe pas tre dekadash nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe politika serbe.
Madje, bazuar në këto, edhe raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut veçon përdorimin e Kishës serbe nga liderët në Beograd si instrument për avancimin e projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Raporti i Helsinkit vë në pah se Kisha Ortodokse është bërë një nga aktorët më të rëndësishëm në përpjekjet për rritjen e ndikimit serbo-rus në rajon, sidomos në Kosovë.
Si dëshmi e kësaj përmendet edhe takimi më 22 prill 2025, mes patriarkut serb Porfirije dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë. Gjatë këtij takimi, sipas raportit, Porfirije deklaroi se qëndrimi i Kishës për çështje si Kosova, Mali i Zi dhe Republika Serbe varet nga pozicioni gjeopolitik i Rusisë, duke theksuar se Kisha dëshiron të qëndrojë “afër botës ruse” në rast të një riorganizimi global.
Përveç kësaj, raporti 81-faqesh zbardh përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe Rusisë në projekte destabilizuese në Ballkan përmes projektit “Bota Serbe”, me theks të veçantë në Kosovë.
Projekti “Bota Serbe” është identifikuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut si një nga instrumentet kyçe përmes të cilit Rusia, në bashkëpunim me elitën politike serbe, po tenton ta rikthejë ndikimin në Ballkan, sidomos në Kosovë.
Pikërisht për këtë, edhe në Institutin “Octopus” thonë se projekti “Bota Serbe” është plotësisht në një vijë me politikën ruse.
“Ky raport e vëren qartë se ndikimi i regjimit të Vuçiqit, Serbisë dhe Rusisë në BP, por edhe në Kosovë, është dukshëm i madh; po ashtu është duke u bërë përmes mjeteve që nuk janë konvencionale, por që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit…”, tha Gurakuq Kuqi nga Instituti për Studimin e Kërcënimeve Hibride “Octopus”.
Po ashtu, në këtë raport kritikohet edhe Perëndimi për tolerancën ndaj këtyre zhvillimeve, duke injoruar rolin e Serbisë në destabilizimin e situatës në Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, Kosova mbetet një ndër vatrat më të rrezikuara, përmes mbështetjes së Serbisë për strukturat paralele në veri. Duke përdorur persona të lidhur me krimin, në veçanti me kryeterroristin Milan Radoiçiq, Beogradi dhe Moska, sipas raportit, synojnë minimin e sovranitetit dhe destabilizimin e vendit.
Raporti ndalet veçanërisht te sulmi i armatosur në Banjskë në shtator 2023, ku Radoiçiq dhe një grup paramilitar serb ndërmorën një akt terrorist në veri të Kosovës, por që, sipas raportit, Serbia nuk ka marrë asnjë hap kundër të akuzuarit terrorist Radoiçiq lidhur me këtë sulm.