Policia në Shtime ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë, që dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “14 Dhjetori” të Shtimes, gjatë periudhës kohore nga data 22 gusht deri më 18 tetor 2025.
Sipas denoncimit të bërë nga ankuesi, një qytetar kosovar-shqiptar që jeton dhe punon jashtë vendit, në banesën e tij kishte lënë shumën prej 24,800 euro. Më datën 19 tetor 2025, ai ka konstatuar mungesën e parave.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me krim-teknikët, ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thekson policia.
Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, nuk janë konstatuar shenja të thyerjes apo dëmtimeve që do të tregonin një hyrje me forcë në banesë.
“Si rezultat i hetimeve intensive, më 21 tetor 2025, policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B.N., 34 vjeç, djalin e ankuesit. Ky i fundit është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.