Kushtrim Hodaj, kryeshef ekzekutiv i IPK-së, po merr pjesë në konferencën rajonale që po mbahet në Shkup, në organizim të CIDS-it (Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes) dhe me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit të shërbimeve të kontrollit të brendshëm në Ballkanin Perëndimor përmes shkëmbimit të praktikave të mira”.
Divizioni për Informim i IPK-së bën të ditur se pjesëmarrës në këtë konferencë, përveç kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj, janë edhe zyrtarë të lartë nga institucionet homologe të mbikëqyrjes policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët njëherësh janë edhe anëtarë të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
“Ndër temat e trajtuara gjatë punimeve të konferencës ishin ato që ndërlidhen me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm të vendeve të rajonit lidhur me përgjegjshmërinë dhe integritetin e policisë. Pjesë e diskutimit të konferencës ishin edhe planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta që pritet të realizohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm në kuadër të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore”, thuhet në njoftim.
Nga ky takim u shkëmbyen shumë përvoja dhe ide për të avancuar bashkëpunimin dhe fuqizimin e integritetit në fushën e kontrollit policor, si dhe diskutime për mundësinë e organizimit të trajnimeve të përbashkëta, mundësinë e realizimit të aktiviteteve të përbashkëta etj.
Tutje bëhet e ditur se ‘Forumi Rajonal i Agjencive Mbikëqyrëse Policore’ u themelua në vitin 2023 dhe aktualisht pjesë e këtij forumi janë agjencitë/departamentet e kontrollit të brendshëm të katër shteteve: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.