Duke iu referuar vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, një zëdhënës i BE-së ka theksuar se ajo është inkurajuar nga raundi i parë paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

“Ky ishte një sinjal i rëndësishëm i deeskalimit në veri, që do të merret në konsideratë në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave,” ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-n.

Javën e kaluar, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, von der Leyen pati – siç thuhet – diskutime konstruktive si me Presidenten Vjosa Osmani, ashtu edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Sipas të njëjtit burim, Bashkimi Evropian pret që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, si dhe një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale.