Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj kundërshtimit të ankesës së tyre për pagesën e trustit pensional nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Sipas reagimit të publikuar në facebook, refuzimi është duke ndodhur me arsyetimin se nuk kanë kërkuar mbrojtje gjyqësore.
“Shumat që ndërmarrja i ka borxh minatorëve tashmë kanë kaluar në miliona euro. Përveç mungesës së kontributeve, jemi dëmtuar edhe nga humbja e fitimeve vjetore që Trusti do t’i kishte realizuar përmes investimeve ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Në reagimin e tyre thuhet se minatorët pavarësisht profesionit me rrezik të lartë përballen me pensione minimale.
“Ne vazhdojmë të kemi besim në drejtësi, por në këtë rast, mendojmë se gjykata nuk i ka vlerësuar mjaftueshëm dëmet e shkaktuara minatorëve. Vendimet e deritanishme kanë përcaktuar se është detyrë e ATK-së të detyrojë ndërmarrjet për këto pagesa, por tash e gjashtë vite ATK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz ndaj Trepçës sh.a., e cila vazhdon të mos i përmbushë obligimet e saj”, vazhdon njoftimi.
Më tej sindikata ka bërë thirrje menaxhmentit të bëjnë pagesën mujore të trustit pensional.