Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Y.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunës në familje.
Tri ditë më parë, dyshohet se Y.V nga një fshat i Gjakovës, kishte ushtruar dhunë e keqtrajtim fizik ndaj nënës se tij, motrës dhe vëllait të tij.
“Ditën kritike për shkak të një mosmarrëveshje, i pandehuri revoltohet dhe e godet nënën e tij me shuplakë në fytyrë e me pas e godet edhe motrën, pasi e njëjta kishte ndërhyrë për t’i ndarë, derisa aty kishte ardhur vëllai i tij duke e larguar nga të dëmtuarat, dhe pasi që i njëjti ishte larguar nga aty, i pandehuri i drejtohet vëllait me fjalët se “kur vjen në shtëpi kam me të mbyt”, me çka tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional”, thotë njoftimi Gjykata Themelore në Gjakovë.
Me këto veprime, sipas Themelores atje, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Dhuna në familje”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek të dëmtuarit, apo duke e përsëritur veprën penale”, thuhet në njoftim
Gjykata Themelore në Gjakovë thotë se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.




