Besim në Dhomat e Specializuara në Hagë po del të kenë vetëm 2,56%, prej mijëra të anketuarve nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Sa i përket besimit në institucionet e vendit, qytetarët janë përgjigjur se më së shumti besojnë në Policinë e Kosovës, ndërsa më pak në Prokurori dhe Gjykata. Pas prezantimit, raporti u diskutua në një tryezë, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të drejtësisë.
Nga mbi 1060 qytetarë të anketuar, vetëm 2,56% prej tyre kanë shprehur besim në punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, u tha gjatë tryezës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike me temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve”.
“Për besueshmërinë ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e ditur se Dhomat e Specializuara janë në proces të paraqitjes së provave të mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët, qytetarët janë pyetur se deri në çfarë mase i besojnë Dhomave të Specializuara që të ofrojnë drejtësi në mënyrë të drejt dhe të pavarur, ata janë përgjigjur me një mesatare në shkallë prej 2.56%”.
Sa i përket besimit në institucionet e vendit, qytetarët janë përgjigjur se më së shumti besojnë në Policinë e Kosovës, ndërkaq më pak në Prokurori dhe Gjykata.
“Sa i përket konfiskimit apo sekuestrimit, vërtetë kanë të drejt qytetarët dhe këtu duhet të jemi vetëkritik ne prokurorët po edhe gjykata, nuk jemi ende në nivelin e punës, ka hapësirë, ka vend, ka bazë ligjore për sekuestrim dhe konfiskim të vlerave shumë më të mëdha se sa ato aktuale”, tha Besim Kelmendi, ushtrues i detyrës së Kryeprokuror të Shtetit.
Fahret Vellija, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se kanë nevojë për shtim të gjyqtarëve.
“Ne kemi një numër enorm të gjyqtarëve të cilët e bëjnë, janë të emëruar, por në fakt kur ta shohim me sa lëndë përballet një gjyqtar në gjykata tona, atëherë del në fakt që ne e kemi nevojën për shtimin e gjyqtarëve në zgjidhjen e rasteve sidomos në raste civile, pasi që vitet e kaluara, sistemi gjyqësor ishte i bllokuar apo mbingarkuar me kontratat kolektive”.
Vigan Qorrolli, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë tha se ligji pret miratimin e Kuvendit të ri dhe do tu mundësojë qytetarëve të kërkojnë kompensim kur drejtësia vonohet pa arsye, duke vendosur kështu një standard të ri të llogaridhënies institucionale.
Sipas botimit të nëntë të Indeksit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, 76% e qytetarëve kanë vlerësuar se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji.




