Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se Kosova renditet në vendin e 26-të nga gjithsej 226 shtete të përfshira në këtë indeks, duke u pozicionuar e para në rajon dhe para disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, ky vlerësim ndërkombëtar vjen vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi Kosovën nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pas raportit të po të njëjtit institucion që parashikon se Kosova do të ketë përsëri rritjen më të lartë ekonomike në rajon për këtë vit.

Kryeministri në detyrë ka theksuar gjithashtu se, “pavarësisht krizave globale dhe sfidave nga faktorë të jashtëm, Kosova po vazhdon të forcojë ekonominë, të përmirësojë kushtet për zhvillim socio-ekonomik dhe të krijojë një mjedis të sigurt për investime vendore e të huaja”.