Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka marrë pjesë sot në shënimin e 107 vjetorit të Çekisë, të organizuar nga Ambasada çeke në Kosovë.
Kryekuvendari i cili ka mbajtur fjalë rasti në shënimin e kësaj dite, tha se me Republikën e Çekisë, Kosova ndanë vlera të përbashkëta, përfshirë luftën për liri, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe angazhimin për një të ardhme të përbashkët në familjen evropiane.
“Në fjalën time, theksova respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e thellë që i bashkon popujt tanë, si dhe ngjashmërinë e historisë sonë që është e pasuruar nga përpjekjet për liri, pavarësi, dhe besimi në parimin e vetëvendosjes”, ka thënë gjatë fjalës së tij Basha në këtë ceremoni të shënimit të Ditës Kombëtare të Çekisë.
Tutje, shefi i legjislativit ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin shtetëror e qytetar për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Çekisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe rrugës euroatlantike.
“Po ashtu, vendet tona tanimë kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë, të cilin po e intensifikojmë gjithnjë e më shumë në fusha të rëndësishme si ndërveprimi parlamentar, inovacioni, teknologjia dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të sjellë zhvillim dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Basha.




