Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, reagoi pas dështimit të Kuvendit për të miratuar Qeverinë e re të Kosovës. Ai kritikoi opozitën për bllokimin e procesit dhe vonesat që sipas tij kanë karakter politik.
“Ka një kohë të gjatë prej datës së 9 shkurtit me zvarritje me bllokada të shkaktuara, e pamë edhe sot që u materializua në formë të inatit dhe xhelozisë politike kur opozita vendos të barrikadojë dhe më të vlefshme e konsiderojnë të votojnë kundër fituesit të zgjedhjeve, sesa të vendosin interesin shtetëror përpara”, tha Murati.
Ai shtoi se vonesat kanë pasur si qëllim të bllokohen institucionet. “Të gjitha vonesat kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit qoftë edhe formimi i Qeverisë. Kjo është tragjike për demokracinë, ku subjektet politike vendosin inatet politike para formimit të institucioneve.”
Murati gjithashtu theksoi refuzimin e ofertave për bashkëpunim nga opozita dhe përmendi praktika të kaluara problematike.
“Kemi një situatë ku modeli i bashkëpunimit që kemi ofruar është refuzuar. Ndoshta në të kaluarën ka qenë më e lehtë që të gjindet bashkëpunimi përmes terminaleve doganore, përmes pozitave në ambasada të caktuara, dhe përmes edhe ryshfeteve apo korrupsioneve të ngjashme”, potencoi ai.
Mes tjerash Murati tha se Vetevendosje asnjëherë nuk e ka penguar procesin.
Duke folur për propozimin që Dimal Basha të jetë Ministër i Infrastrukturës, ai tha se “Dimal Basha ka qenë prej fillimit i përcaktuar si ministër por siç e dini kemi qenë të kushtëzuar nga opozita ta propozojmë për kryetar kuvendi dikë që s’ka qenë ministër në Qeverinë Kurti 2”.




