Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, u propozua sot për ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë “Kurti 3”. Përmes një statusi në Facebook, ai a reaguar pas seancës në të cilën Qeveria e re nuk mori votëbesimin në Kuvend.

“Puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve. Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi,” ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron të përfshihet në debatet politike apo atmosferën e krijuar në vend, por ka shprehur keqardhje që sipas tij ende mungon vetëdijesimi për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare.

“Jam mirënjohës për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë për të udhëhequr një dikaster kaq të rëndësishëm si Ministria për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, pjesë e kabinetit qeveritar të z. Kurti, një ministri që përfshin kategoritë më të ndjeshme sociale në Republikën e Kosovës,” ka shkruar ai.

Sipas Hotit, ky është një vendim i tij, i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale.

“Përgjegjësia për njerëzit do të mbetet e pandryshuar, ashtu si edhe përkushtimi ndaj punës dhe ndaj vendit tonë. Duke e parë politikën si mjet shërbimi dhe jo përfitimi, aty ku jam, aty ku do të jem, dhe aty ku më besohet puna ime, do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave që na bashkojnë,” ka përfunduar ai.