Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, komentoi sot situatën politike pas dështimit për formimin e Qeverisë së re.
Haxhiu e krahasoi ditën e sotme me 25 marsin 2020, duke theksuar se, “asokohe dhe sot, disa forca politike kanë penguar përparimin e qeverisë së zgjedhur nga populli”.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithmonë, pranë tyre”, tha ish drejtuesja e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo shtoi se situata është e përkohshme dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të kthehet fuqishëm me mbështetjen e qytetarëve.
“Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë ”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu theksoi misionin e Vetëvendosjes për një qeverisje të ndershme dhe transparente.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm”, tha ajo.




