Në 23-vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyçit, sot u shpalos pllaka përkujtimore e tij në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me zonjën Kimete Bytyçi, fëmijët Shqipen e Flamurin, si dhe bashkëveprimtarë e miq të Ukë Bytyçit.
Kryetari Abdixhiku ka ka theksuar se ‘Uka është vendosur aty ku e meriton, pranë bashkëveprimtarëve të mëdhenj të kauzës sonë kombëtare: Enverit, Xhemës, Shabanit, Ismetit e Nekibes, në Koridorin e Kujtesës’.
“Jeta e tij është rrëfimi i një brezi që e deshi Kosovën me punë, me guxim dhe me përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e ‘81-shit, në themelimin e LDK-së, në organizimin e rezistencës, në luftën për liri në Zonën Operative të Pashtrikut dhe në drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe për shërbimin ndaj qytetarëve”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ukë Bytyçi u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore, por idealet e tij nuk u shuan kurrë.
LDK-ja e nderon dhe e kujton me mirënjohje të thellë një prej bijve të saj më të denjë – një simbol të qëndresës dhe të dashurisë për Kosovën.




