Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) në Kosovë mirëpret përkushtimin e institucioneve vendore dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për anëtarësimin e vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian në këtë drejtim. Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit financiar dhe përafrimit me standardet evropiane financiare.
“Anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar pagesa më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta, qasje më të mirë në tregje ndërkombëtare, si dhe përmirësim të menaxhimit të likuiditetit për ndërmarrjet vendore. Bazuar në vlerësime të fundit, vonesat në këtë proces i kanë kushtuar ekonomisë së Kosovës rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërkohë që përfitimet vjetore të mundshme kapin vlerën e 55 milionë eurove”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Këshilli i Investitorëve Evropianë vlerëson punën e madhe teknike dhe rregullative që BQK, me ndihmën e Bankës Botërore dhe në koordinim të ngushtë me Komisionin Evropian, ka realizuar deri më tani. Ky proces ka avancuar ndjeshëm, dhe, duke pasur parasysh rëndësinë e të njejtit për sektorin privat dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, EIC avokon që shqyrtimi i ligjeve përkatëse nga Gjykata Kushtetuese të mundësojë vazhdimësinë e reformave me kohë dhe në mënyrë të harmonizuar me interesin publik.
Sipas Këshillit të Investitorëve Evropianë, Kosova ka mundësinë reale të mos mbetet prapa vendeve fqinje në këtë fushë dhe të përfitojë plotësisht nga përfshirja në rrjetin unik të pagesave evropiane.
“Anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të modernizojë infrastrukturën financiare, do të ulë kostot për bizneset dhe qytetarët dhe do ta bëjë ekonominë tonë më tërheqëse për investime të reja. Këshilli i Investitorëve Evropianë mbetet i përkushtuar të informojë gjerësisht për vlerën që SEPA sjell për ekonominë dhe qytetarët e vendit”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Ndryshe Banka Qendrore e Kosovës më 14 tetor 2024 ka realizuar fazën e para-aplikimit dhe ka dorëzuar zyrtarisht dokumentacionin përkatës pranë organit kompetent të Komisionit Evropian për këtë qëllim (DG FISMA) dhe Këshillit Evropian të Pagesave (EPC).
Po çështja ka ngecur për shka se disa ligje ndodhen në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në kuadër të një serë ligjesh, pavarësisht se nuk janë kontestuar asnjëra në kuptim të përmbajtjes (por procedurës parlamentare), madje edhe pse Ligji për Bankat në fakt ka qenë në lexim të dytë (duke ndjekur të gjitha hapat procedurale) dhe për këtë aplikimi final nuk është i mundur.




