Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, PZAP nuk ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë shqyrtimit të ankesave të dy kandidatëve për Zgjedhjet Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, pasi ka refuzuar kërkesat për verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në disa qendra ku janë evidentuar mospërputhje.

Gjykata ka theksuar se refuzimi i ankesës së Gentiana Bajrami-Atashit ishte i pabazuar në ligj, duke vlerësuar se PZAP ka dështuar të zhvillojë hetime të plota në përputhje me nenin 117 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe nenin 15 të Rregullores 01/2025 për procedurat e ankesave. Këto dispozita e detyrojnë PZAP-in që, në raste dyshimi, të urdhërojë rinumërimin e fletëvotimeve dhe të hetojë materialin zgjedhor, përfshirë kutitë e votimit.

Në rastin tjetër, që lidhet me ankesën e Blerim Krasniqit, Gjykata Supreme ka konstatuar se PZAP ka refuzuar gabimisht ankesën, duke neglizhuar dëshmitë ekzistuese në dosje dhe pamundësinë e palëve për të siguruar prova shtesë për shkak të mungesës së qasjes në Qendrën e Numërimit.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se të metat e evidentuara janë të natyrës thelbësore, çka e bën të nevojshme kthimin e rasteve në rivendosje. Gjykata ka udhëzuar PZAP-in që, gjatë rishqyrtimit të çështjeve, të hetojë të gjitha dëshmitë relevante, të sigurojë materialin zgjedhor përkatës, veçanërisht kutitë e votimit, dhe të garantojë integritetin e procesit zgjedhor.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se është e domosdoshme që çdo votë të shkojë në destinimin e saj të synuar, duke siguruar që vullneti i qytetarëve të mos devijohet dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet ligjore dhe demokratike.

Ndryshe, Gentiana Bajrami Atashi nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, dega Pejë, ishte ankuar për mospërputhje të rezultateve të numrit të votave të publikuara me numrin real të votave të konfirmuara nga dëshmitarët në terren. Ajo dyshonte për parregullsi gjatë numërimit të votave nga QNR dhe ishte ankuar në PZAP. Kjo e fundit ia kishte refuzuar ankesën e cila më pas i është drejtuar Gjykatës Supreme.

Edhe Blerim Krasniqi, kandidat për asamble komunale nga radhët e subjektit politik Nisma Socialdemokrate e Kosovës kishte paraqitur ankesë kundër komisionerëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Gllogoc për shkak të parregullsive gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Edhe ndaj Krasniqit, PZAP e kishte referuar ankesën dhe më pas ai i është drejtuar Supremes.