Edhe pse temperaturat e larta gjatë verës kanë ndikuar që rendimenti i patates të bjerë lehtë këtë vit, fermerët e Vushtrrisë po shprehen të kënaqur me cilësinë dhe çmimin e shitjes. Falë kujdesit profesional dhe kushteve të mira të ruajtjes, patatja vendore po mbetet ndër produktet më të kërkuara në treg.
Berat Ademi, kultivues nga fshati Stanovc i Komunës së Vushtrrisë, prej disa vitesh merret me kultivimin e patates. Ai thotë se prodhimi sivjet është rreth 10 për qind më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht për shkak të temperaturave të larta gjatë verës.
“Këtë vit rendimenti është pak më i ulët për shkak të nxehtësisë së madhe, por sëmundje nuk kemi pasur falë menaxhimit profesional të kulturës,” thotë Ademi për emisionin TOKA të RTK-së.
Ai bashkë me dy fermerë të tjerë kultivojnë gjithsej 30 hektarë me patate. Sipas tij, bashkimi i fuqisë punëtore dhe i mjeteve ka ndihmuar në menaxhimin më efikas të punëve bujqësore.
“Ngritja e temperaturave na ka detyruar të dyfishojmë ujitjen. Megjithatë, falë makinerisë moderne, puna është bërë shumë më e lehtë dhe rendimenti është më i qëndrueshëm,” shton ai.
Ademi thekson se shitjen e kanë të sigurt, pasi janë kooperantë të një kompanie të madhe vendore që merret me kultivimin dhe përpunimin e patates.
“Jemi të kënaqur edhe me çmimin me të cilin e tregtojmë produktin,” shprehet ai.
Sa i përket përkrahjes institucionale, Ademi thotë se është i kënaqur me subvencionet e marra deri tani, ndërsa për grantet ende nuk ka aplikuar, por shpreson që në të ardhmen e afërt ta bëjë një gjë të tillë.
Uljen e lehtë të rendimentit e konfirmon edhe Agran Halimi, ekspert i bujqësisë dhe menaxher në kompaninë që merret me kultivimin dhe përpunimin e patates në Pestovë të Vushtrrisë.
“Rreth 10 për qind më pak prodhim krahasuar me vitin e kaluar, por cilësia është shumë e mirë,” thotë Halimi.
Sipas tij, falë masave parandaluese të zbatuara me profesionalizëm, këtë vit fermerët janë përballur me më pak sëmundje të patates. Ai u sugjeron kultivuesve që t’u përshtaten kushteve të reja klimatike, të cilat po ndryshojnë ndjeshëm edhe në Kosovë.
“Temperaturat e larta na kanë shtyrë që këtë vit, për herë të parë, ta fillojmë ujitjen që në fillim të qershorit,” thotë Halimi, duke shtuar se ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në mënyrën e plehërimit të patates.
Eksperti thekson se tokat më të përshtatshme për këtë kulturë janë ato të lehta dhe me përbërje të balancuar për mbajtje uji. Kompania ku punon Halimi aktualisht ka të kontraktuara rreth 500 hektarë të mbjella me patate në tërë territorin e vendit. Pas vjeljes, patatet transportohen dhe ruhen në depo profesionale në Pestovë, ku kontrollohen me sisteme automatike për ruajtje të freskët dhe afatgjatë.
“Në këto depo monitorohen vazhdimisht të gjithë parametrat – temperatura, lagështia dhe ventilimi – që produkti të ruhet në cilësi optimale,” shpjegon Halimi.
Pothuajse e gjithë sasia e patates së prodhuar në këto 500 hektarë përpunohet nga kjo kompani, e cila planifikon të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin me fermerët.
“Varësisht rritjes së kapaciteteve të përpunimit, do të rriten edhe kontraktimet me kultivues të rinj të patates në vend,” përfundon Halimi.




